Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, se Artan Grubi është i pafajshëm dhe se do të shpallet i pafajshëm. Deklarata e Ahmetit është raportuar pas deklarimit të Grubit si i pafajshëm në rastin gjyqësor që lidhet me Lotarinë Shtetërore.
Në një reagim në rrjetet sociale, Imeri Stafai e ka pyetur Ahmetin se si mund të jetë kaq i sigurt për përfundimin e një procesi gjyqësor dhe nëse kjo ngre pikëpyetje për pavarësinë e drejtësisë.
“Vallë, Ali, nga të vjen kjo siguri? A e di ti paraprakisht se çfarë do të vendosë gjykata?”, ka shkruar ajo.
Deputetja e VLEN-it e ka lidhur këtë deklaratë edhe me rastin e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov, ndërsa ka kërkuar nga Ahmeti të sqarojë qëndrimin e tij lidhur me pretendimet amerikane për ndikimin e Grubit në drejtësi.
“Nëse e din paraprakisht se si do të përfundojë një proces gjyqësor, duhet të pyesim: A është drejtësia e pavarur, apo dikush tashmë e di verdiktin?”, ka theksuar Imeri Stafai.
Në fund, ajo i ka kërkuar Ahmetit të shpjegojë arsyen e sigurisë së tij për pafajësinë e Grubit.
“Ali, mos na trego vetëm që Artani është i pafajshëm. Na trego pse je kaq i sigurt!”, përfundon reagimi i saj.






