Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka vizituar familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, pas vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Hamza tha se gjatë vizitave u ka shprehur familjarëve mbështetjen e tij dhe u ka siguruar se “nuk janë vetëm dhe nuk do të jenë kurrë”.
Ai deklaroi se dhimbjen dhe mërzinë e familjeve e konsideron si dhimbje dhe mërzi të popullit të Kosovës. Hamza tha gjithashtu se është krenar për Thaçin, Veselin dhe Krasniqin, si dhe për atë që, sipas tij, ata përfaqësojnë në historinë e Kosovës.
Kreu i PDK-së u tha familjarëve se do të vazhdojë angazhimin për drejtësi dhe liri dhe se, sipas tij, do të qëndrojnë së bashku deri në kthimin në atdhe të “luftëtarit të fundit të lirisë”.
“Dje, sot dhe përjetësisht, çlirimtarë!”, e përmbylli Hamza mesazhin e tij.






