Shtatë vjet pas aksidentit tragjik pranë Llaskarcës, ku humbën jetën 16 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, çështja gjyqësore ende nuk ka një epilog përfundimtar.
Autobusi i kompanisë “Durmo Tours” u aksidentua më 13 shkurt 2019 në autostradën Shkup–Tetovë, pranë fshatit Llaskarcë. Pas aksidentit, numri i viktimave fillimisht ishte 13, ndërsa në ditët dhe javët në vijim arriti në 16.
Në korrik të vitit 2019, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj gjashtë personave: pronarit të “Durmo Tours”, përgjegjësit për transportin, shoferit dhe tre të punësuarve në stacionin e kontrollit teknik.
Procesi gjyqësor zgjati disa vite dhe u shoqërua me mbi 100 seanca, dëshmi dhe ekspertiza të ndryshme. Për shkak të dallimeve mes ekspertizave, gjykata urdhëroi edhe një super-ekspertizë.
Më 25 janar 2024, Gjykata Themelore Penale i shpalli fajtorë të gjashtë të akuzuarit, me dënime që në total arrinin në 39 vite burg.
Në prill 2025, Gjykata e Apelit i rriti disa nga dënimet, duke e çuar dënimin total në 53 vite burg.
Por më 9 shtator 2026, Gjykata Supreme e anuloi vendimin e Apelit dhe e ktheu lëndën për rishqyrtim. Sipas arsyetimit të Gjykatës Supreme, nuk ishte shpjeguar mjaftueshëm se si veprimet apo mosveprimet e secilit prej të dënuarve kishin kontribuar individualisht në aksident dhe mbi cilat prova ishte bazuar përgjegjësia e tyre.
Vendimi i Supremes nuk nënkupton se të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm. Tani çështja është kthyer sërish në Gjykatën e Apelit, e cila duhet të shqyrtojë vërejtjet e Gjykatës Supreme dhe të marrë një vendim të ri.
Kështu, edhe shtatë vjet pas tragjedisë së Llaskarcës, rasti vazhdon të mbetet pa një vendim të formës së prerë.






