Thaçi mohon përfshirjen në vrasjen e Allaqit, Misetic: Gjykata i mbajti të fshehura provat

Advertisement

Avokati kroat Luka Misetic ka bërë të ditur se mbrojtja e Hashim Thaçit do ta apelojë aktgjykimin e Trupit Gjykues, duke pretenduar se gjatë procesit janë bërë gabime të rëndësishme ligjore dhe në vlerësimin e provave.

Sipas Misetic, këto çështje, sipas mbrojtjes, cenojnë drejtësinë e procesit gjyqësor. Ai tha se mbrojtja gjatë gjithë procesit ka ngritur shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, përfshirë mënyrën dhe shtrirjen e pyetjeve të drejtpërdrejta të bëra nga anëtarët e Trupit Gjykues.

Misetic pretendon se ndërhyrjet e trupit gjykues kanë tejkaluar, sipas tij, kufijtë e kërkimit neutral të së vërtetës dhe kanë krijuar shqetësime lidhur me perceptimin e paanshmërisë.

Një nga çështjet e ngritura nga mbrojtja lidhet me përfshirjen e Thaçit në rastin e vrasjes së Behajdin Allaqit. Misetic tha se Trupi Gjykues e ka përmendur Thaçin në lidhje me këtë rast, ndërsa më herët kishte urdhëruar që çështja të mos diskutohej në seanca publike dhe që provat përkatëse të mbaheshin konfidenciale.

Sipas avokatit, mbrojtja e konsideron problematike që Thaçi të jetë shpallur fajtor për një vrasje, ndërsa provat mbi të cilat është bazuar ky përfundim, sipas tij, nuk kanë qenë të hapura për shqyrtim publik.

“Mbrojtja argumenton se gjetjet e Trupit Gjykues për fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm mbështeten në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara”, ka deklaruar Misetic.

Ai shtoi se Thaçi, sipas mbrojtjes, do ta mirëpriste shqyrtimin publik të këtyre provave dhe se do të apelojë vendimet, duke pretenduar shkelje të të drejtave të tij për një gjykim të drejtë.

Misetic theksoi gjithashtu se Thaçi e mohon çdo përfshirje në vrasjen e Allaqit.

“Mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Trupit Gjykues për shkelje të të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë, të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës”, tha ai.

Sipas Misetic, njoftimi zyrtar për apel do të dorëzohet pranë Panelit të Apelit, me synimin që, sipas mbrojtjes, të korrigjohen gabimet faktike, ligjore dhe procedurale që ajo pretendon se janë bërë gjatë procesit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit