Qeveria zgjedh lokacionin për qendrën kombëtare të të dhënave, investim 20 milionë euro

Advertisement

Qendra Kombëtare e të Dhënave pritet të ndërtohet pranë zonës teknologjike-industriale në Bunardzhik, në afërsi të Shkupit, ka bërë të ditur ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.

Sipas Andonovskit, lokacioni është zgjedhur për shkak të afërsisë me autostradën dhe rrjetin optik, ndërsa parcela nuk është tokë bujqësore produktive. Në të ardhmen, në këtë zonë mund të ndërtohet edhe një central fotovoltaik për furnizimin me energji të qendrës.

Investimi parashikohet të jetë rreth 20 milionë euro. Rreth 30 për qind e mjeteve do të përdoren për pajisje, ndërsa pjesa tjetër për ndërtimin e objektit.

Qeveria planifikon që qendra të ndërtohet në mënyrë modulare, duke krijuar mundësi për zgjerim në të ardhmen dhe përfshirjen e infrastrukturës së nevojshme për përdorimin e inteligjencës artificiale.

Financimi pritet të sigurohet përmes mjeteve shtetërore dhe granteve, ndërsa qeveria është në bisedime me institucione financiare ndërkombëtare për gjetjen e burimeve të nevojshme.

Sipas ministrit, blerja e pajisjeve mund të realizohet gjatë viteve 2027–2028, në varësi të çmimeve të pajisjeve harduerike.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut ka vetëm një qendër rezervë të të dhënave në Prilep, e cila është nën kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pas ndërtimit të qendrës së re, të dhënat e institucioneve shtetërore pritet të transferohen në infrastrukturën e re.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit