Erjona Jonuzi me ambicie të mëdha te kampionia e Sllovakisë

Advertisement

 

Volejbollistja tetovare Erjona Jonuzi ka nisur një kapitull të ri në karrierën e saj, pasi zyrtarisht është bërë pjesë e kampiones në fuqi të Sllovakisë, Slovan Bratislava, me kontratë njëvjeçare.

Jonuzi, 25-vjeçare, ish-lojtare e Shkëndijës së Tetovës dhe Rabotniçkit, si dhe anëtare e rregullt e reprezentacionit të Maqedonisë së Veriut, në dy sezonet e fundit ka luajtur për Nove Mesto në Sllovaki.

Kalimi te kampionia e Sllovakisë përbën një sfidë të re për volejbollisten tetovare. Ajo shprehet e kënaqur me pritjen në klubin e ri dhe thotë se ndihet e motivuar për sezonin e ardhshëm.

“Fillimi me ekipin e ri ka qenë shumë pozitiv. Jam pritur shumë mirë si nga klubi dhe bashkëlojtaret, ashtu edhe nga publiku. Ende jemi në fazën e përshtatjes dhe njohjes si ekip, por ndihem shumë mirë dhe jam e motivuar për sezonin që na pret”, është shprehur Jonuzi.

Slovan Bratislava po përgatitet për sezonin 2026/2027, ndërsa objektivi kryesor i skuadrës është mbrojtja e titullit kampion. Sezoni i ri pritet të nisë në tetor, ndërsa aktualisht ekipi po zhvillon ndeshje miqësore dhe turne përgatitorë.

Erjona Jonuzi së fundmi ishte pjesë edhe e reprezentacionit të Maqedonisë së Veriut në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, eksperiencë të cilën ajo e ka cilësuar të veçantë dhe krenari për çdo sportiste.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit