Prokurori Publik Republikan, Nenad Saveski, ka hedhur poshtë pretendimet se gjykatat në vend marrin vendime nën presion, ndikim apo në shërbim të Prokurorisë Publike.
Duke komentuar reagimet pas vendimeve në rastet “Laskarcë” dhe atë që lidhet me ish-kryetarin e Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, Saveski tha se vlerësimet se gjykatat e shkallës së parë nuk i shqyrtojnë në mënyrë të mjaftueshme provat janë të gabuara.
“Absolutisht konsideroj se është përshtypje e gabuar se gjykatat i marrin vendimet nën presion, nën ndikim ose në shërbim të Prokurorisë Publike. Aktgjykimet merren në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bazë të zbatimit të ligjeve dhe provave që përmbahen në ato lëndë”, deklaroi Saveski pas seancës së Këshillit të Prokurorëve Publikë.
Ai sqaroi se Gjykata Supreme, në rastet e përmendura, nuk ka vlerësuar aktakuzat, por ligjshmërinë e vendimeve të marra nga gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë.
Saveski foli edhe për rastin “Puls”, duke theksuar se paraburgimi është i rregulluar me ligj dhe se afatet maksimale duhet të respektohen. Sipas tij, në këtë rast këto afate së shpejti do të shterojnë, ndërsa nuk deshi të paragjykojë nëse Prokuroria do të kërkojë masa të tjera për sigurimin e pranisë së të dyshuarit.
Ai u shpreh se vendimi për masa eventuale alternative i takon prokurorëve që veprojnë në lëndën konkrete.
Ndërkaq, lidhur me rastin disiplinor ndaj prokurorit Jovan Cvetanovski, Saveski tha se afati për ankesë ka skaduar dhe se nuk do të paraqesë ankesë.
Saveski foli edhe për ulësen e tij pranë kryeministrit gjatë ceremonisë për Ditën e Pavarësisë, duke sqaruar se vendi i ishte caktuar sipas protokollit të Qeverisë dhe se nuk e konsideron këtë si privilegj.
“Ai ishte vendi i paraparë me protokollin e Qeverisë, e cila ishte organizatore e ngjarjes dhe aty më ishte caktuar vendi”, deklaroi Saveski.






