Danimarka hap dyert për punëtorë nga 16 shtete, mes tyre Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Advertisement

Nga 1 janari 2027, Danimarka do të nisë një program të ri për punësimin e punëtorëve të huaj nga 16 shtete jashtë Bashkimit Evropian, ku përfshihen edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Skema e re, e quajtur “Skema e biznesit e bazuar në marrëveshjet kolektive”, do t’u mundësojë kompanive daneze të kualifikuara të rekrutojnë punëtorë nga Shqipëria, Australia, Brazili, Britania e Madhe, India, Japonia, Kanadaja, Kina, Malajzia, Moldavia, SHBA-ja, Maqedonia e Veriut, Serbia, Singapori, Ukraina dhe Mali i Zi.

Për të marrë pjesë në këtë skemë, kompanitë daneze duhet të plotësojnë një sërë kushtesh. Ato duhet të kenë të paktën dy vjet aktivitet, së paku 10 punonjës të përhershëm me orar të plotë dhe të jenë të pajisura me certifikatat përkatëse nga autoritetet daneze.

Gjithashtu, kompania duhet të ketë një marrëveshje kolektive të përshtatshme dhe të mos ketë pasur shkelje të rënda të legjislacionit të punës apo gjoba të fundit për mosrespektimin e rregullave lidhur me punëtorët e huaj.

Certifikata fillestare do të jetë e vlefshme për tre vjet, ndërsa më pas mund të zgjatet deri në katër vjet.

Sa do të jetë paga?

Paga minimale vjetore për punëtorët e punësuar përmes kësaj skeme do të jetë 322 mijë korona daneze, rreth 43 mijë euro në vit.

Ky prag është dukshëm më i ulët se ai i skemës ekzistuese daneze, i cili për vitin 2026 është 552 mijë korona, ose rreth 69.800 euro në vit.

Kërkesat për leje qëndrimi dhe pune do të shqyrtohen nga Agjencia Daneze për Rekrutim Ndërkombëtar dhe Integrim (SIRI).

Qëllimi i skemës është t’u mundësojë kompanive daneze të gjejnë më lehtë fuqinë punëtore që u nevojitet, ndërsa përmes marrëveshjeve kolektive dhe kontrolleve synohet të garantohen pagat dhe kushtet e punës.

Për qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, përfshirja në listën e 16 shteteve përbën një mundësi të re për punësim në Danimarkë nga viti 2027.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit