Maqedonia e Veriut shqyrton pagat sipas orëve të punës, sindikatat kërkojnë minimum 250 denarë për orë

Advertisement

Maqedonia e Veriut po shqyrton mundësinë e ndryshimit të sistemit të pagesës së pagave, me kalimin drejt pagesës sipas orëve të punuara. Nisma është pjesë e diskutimeve mes sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve, ndërsa në qendër të debatit janë lartësia e pagave, produktiviteti dhe mbrojtja e të drejtave të punëtorëve.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, paga mesatare neto në vend arriti në 48.733 denarë në gusht 2026, ndërsa paga minimale neto, e vlefshme nga paga e muajit mars, është 26.046 denarë.

Konfederata e Sindikatave të Lira vlerëson se pagesa sipas orëve mund të rrisë transparencën dhe të ndihmojë në luftimin e ekonomisë gri. Organizata e Punëdhënësve kërkon analiza të mëtejshme për zbatimin e këtij modeli, veçanërisht në sektorin e prodhimit.

Ndërkohë, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkon që përparësi të ketë rritja e pagave. Sipas përllogaritjeve të saj, pagesa për orë për punëtorët me pagë minimale do të ishte rreth 155 denarë, ndërsa kërkesa e sindikatës është të paktën 250 denarë për orë pune.

Ministria e Ekonomisë ka shprehur gatishmëri për diskutime dhe analiza krahasuese me praktikat në vendet evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri më tani, nuk është marrë vendim përfundimtar për ndryshimin e sistemit të pagesës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit