Strumica u shpall luftë grumbulluesve të paligjshëm të pajisjeve të vjetra

Advertisement

Strumicë, 9 shtator Zhurnal.mk – Komuna e Strumicës u ka bërë apel qytetarëve që të mos ua dorëzojnë pajisjet e vjetra elektroshtëpiake dhe pajisjet e tjera të mbeturinave elektrike dhe elektronike personave të paautorizuar, të cilët i mbledhin me qëllim çmontimin dhe ndarjen e materialeve në mënyrë të paligjshme.

Nga komuna njoftojnë se gjatë ditëve të fundit, inspektorët komunalë, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, përkatësisht SPB Strumicë dhe Sektorin për Krim Ekonomik, kanë zhvilluar kontrolle të intensifikuara në terren.

Gjatë kontrolleve janë konfiskuar dy furgonë të ngarkuar me pajisje të vjetra elektroshtëpiake. Automjetet janë gjetur te persona për të cilët është konstatuar se në mënyrë të paautorizuar mbledhin, transportojnë dhe çmontojnë pajisje elektrike dhe elektronike të hedhura.

Komuna u bën thirrje qytetarëve që të mos ua dorëzojnë pajisjet e vjetra personave pa autorizim, të mos lejojnë çmontimin e tyre në mënyrë të paligjshme, të mos i djegin dhe të mos i hedhin pajisjet e vjetra në hapësira publike apo në vende të papërshtatshme.

Nga Komuna e Strumicës theksojnë se, përmes Sektorit për Punë Inspektuese dhe në koordinim me institucionet kompetente, do të vazhdojnë kontrollet e intensifikuara me qëllim parandalimin e grumbullimit, transportit, çmontimit dhe trajtimit të paautorizuar të mbetjeve elektrike dhe elektronike. përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit