Kurti për deklaratën e Simiqit: Mund të jetë pjesë e euforisë së tij pas varrimit të Ratko Mlladiqit

Advertisement

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se me zgjedhjen e Albulena Haxhiut në krye të Kuvendit ka nisur procesi i konstituimit të legjislaturës së 11-të.

Kurti tha se për përmbylljen e këtij procesi nevojitet dakordim mes subjekteve politike për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

“Së pari u zgjodh Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit e legjislaturës së 11-të. Me këtë rast filloi konstituimi i Kuvendit. Që të përmbyllet me sukses të plotë, duhet t’i zgjedhim edhe nënkryetarët, për këtë nevojitet dakordim”, tha Kurti.

Ai bëri të ditur se është në kontakt me liderët e partive politike dhe se i ka kërkuar takim kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, ndërsa ka komunikuar edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kurti tha se synimi është arritja e një marrëveshjeje për zgjedhjen e nënkryetarëve, në mënyrë që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt dhe të hapet rruga për formimin e Qeverisë.

“Le të jemi pozitivë dhe konstruktivë dhe në këtë mënyrë të kemi Kuvend të konstituar, shpejt Qeveri të formuar dhe të kalojmë te zgjedhja e presidentit që duhet të bëhet, që t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, tha ai.

Duke komentuar deklaratën e përfaqësuesit të Listës Serbe gjatë seancës, Kurti tha se ajo, sipas tij, ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me betimin e deputetit.

Ai shtoi se propozimi për Slavko Simiqin ishte dorëzuar me shkrim dhe se, sipas tij, vetëm propozimi zyrtar i paraqitur në përputhje me Kushtetutën mund të votohet në Kuvend.

Kurti komentoi edhe një deklaratë të bërë gjatë seancës, duke e lidhur atë me zhvillimet në Serbi dhe me figurën e Ratko Mlladiqit.

Në fund, Kurti përsëriti se prioritet mbetet arritja e një dakordimi për nënkryetarët e Kuvendit, duke shprehur shpresën se kjo do të arrihet sa më shpejt me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së, Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit