Iseni: Studentët ekselentë do të kenë mundësi punësimi në institucionet shtetërore

Advertisement

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka bërë të ditur një nismë të re të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, që synon përfshirjen e studentëve më të dalluar në institucionet shtetërore.

Iseni, së bashku me Toshkovskin, vizituan Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku u pritën nga rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti dhe përfaqësues të stafit akademik.

“Nga dija dhe bashkëpunimi, drejt institucioneve më të fuqishme! Sot, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, vizituam Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku u pritëm nga rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, dhe përfaqësues të stafit akademik”, shkroi Iseni në një status publik.

Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Universitetit Shtetëror të Tetovës, përmes shkëmbimit të ekspertizës, organizimit të trajnimeve dhe realizimit të projekteve të përbashkëta.

Iseni bëri të ditur se, me iniciativë të tij dhe ministrit Toshkovski, do të krijohen mundësi për punësimin e studentëve ekselentë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, por edhe të universiteteve të tjera shtetërore në vend.

Qëllimi i kësaj nisme është që të rinjtë me rezultate të larta akademike të kenë mundësi të kontribuojnë në institucionet shtetërore dhe të jenë pjesë e ndërtimit të një administrate profesionale, efikase dhe moderne.

“Universitetet krijojnë dije, ndërsa institucionet krijojnë mundësi. Duke investuar te të rinjtë më të mirë, investojmë në profesionalizëm, siguri dhe institucione më të fuqishme”, deklaroi Iseni.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit