Kurti kritikon Serbinë për nderimet ndaj Ratko Mlladiqit

Advertisement

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj ceremonisë së varrimit të ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe në Bosnje e Hercegovinë, Ratko Mlladiq, duke akuzuar Serbinë për glorifikim shtetëror të një figure të dënuar për krime lufte dhe gjenocid, përcjell albinfo.ch.

Kurti ka bërë një krahasim mes ngjarjeve të shënuara në Kosovë gjatë ditëve të fundit dhe zhvillimeve në Serbi.

Ai ka përmendur 27-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, përvjetorin e vdekjes së Nënë Terezës, si dhe Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës të vitit 1990, të njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.

Në anën tjetër, sipas Kurtit, Serbia e ka kaluar fundjavën duke u përgatitur për ceremoninë e varrimit të Mlladiqit.

“Serbia fundjavën e kaloi në përgatitje të asaj që bëri dje: nderime të larta shtetërore për kriminelin e luftës, gjeneralin serb, Ratko Mlladiq, fajtorin e gjenocidit në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës”, ka shkruar Kurti.

Kurti: Gjenocidi në Srebrenicë është fakt historik

Kryeministri në detyrë ka theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është i dokumentuar përmes dëshmive të të mbijetuarve, identifikimeve forenzike dhe dokumentimit të krimeve.

“Gjenocidi në Srebrenicë është fakt historik i dëshmuar nga varrezat masive, identifikimet forenzike të mijëra viktimave, dëshmitë e të mbijetuarve dhe dokumentimi i hollësishëm i operacionit të vrasjes dhe fshehjes së trupave, jo interpretim historik apo akuzë politike”, ka deklaruar ai.

Duke folur për rolin e Mlladiqit gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, Kurti e ka krahasuar atë me ish-presidentin jugosllav, Slobodan Millosheviq.

“Sllobodan Millosheviq është quajtur me të drejtë kasap i Ballkanit dhe ky kasap ka pasur shumë thika, por Ratko Mlladiq ishte sëpata e tij kryesore, të cilin e glorifikojnë tash Beogradi zyrtar”, ka shkruar Kurti.

Kurti i është referuar edhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2007, duke përmendur përgjegjësitë e Serbisë lidhur me parandalimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe bashkëpunimin me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Sipas tij, mënyra e organizimit të ceremonisë për Mlladiqin përfaqëson një kalim nga mohimi i krimeve drejt glorifikimit shtetëror.

“Kështu mohimi i gjenocidit kaloi nga deklarata politike në liturgji shtetërore”, ka shkruar Kurti./Albinfo.ch

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit