Rezultatet e testit ndërkombëtar tregojnë se performanca e nxënësve 15-vjeçarë në Kosovë ka mbetur pothuajse e pandryshuar në shkencë dhe lexim, ndërsa në matematikë është shënuar rënie.
Kosova vazhdon të renditet ndër vendet me performancën më të ulët në testin ndërkombëtar PISA. Rezultatet e PISA 2025 tregojnë se nxënësit kosovarë kanë shënuar rënie në matematikë, ndërsa në shkencë rezultati ka mbetur i njëjtë dhe në lexim ka pasur një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2022, përcjell albinfo.ch.
Në edicionin e vitit 2025 morën pjesë 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës. Testimi është zhvilluar nga 10 deri më 30 maj.
Sipas rezultateve, nxënësit kosovarë kanë marrë mesatarisht 357 pikë në shkencë, 340 pikë në leximdhe 350 pikë në matematikë.
Në krahasim me PISA 2022, rezultati në shkencë ka mbetur në të njëjtin nivel, ndërsa në lexim ka rënë nga 342 në 340 pikë. Rënia më e dukshme është regjistruar në matematikë, ku rezultati ka zbritur nga 355 në 350 pikë.
Në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, nxënësit e Kosovës kanë shënuar 359 pikë.
Vajzat performojnë më mirë se djemtë
Një prej gjetjeve të raportit është performanca më e lartë e vajzave në shkencë dhe lexim.
Në shkencë, vajzat kanë marrë mesatarisht 366 pikë, krahasuar me 347 pikë të djemve. Në lexim, diferenca është edhe më e madhe: vajzat kanë shënuar 358 pikë, ndërsa djemtë 322 pikë.
Në matematikë rezultatet janë pothuajse të barabarta, me 351 pikë për vajzat dhe 350 për djemtë.
Shumica nuk arrijnë nivelin bazë
Rezultatet e PISA 2025 tregojnë gjithashtu për një numër të madh të nxënësve që nuk arrijnë nivelin bazë të aftësive të përcaktuar nga PISA.
Vetëm rreth 21 për qind e nxënësve në Kosovë kanë arritur të paktën Nivelin 2 në shkencë. Në matematikë kjo përqindje është rreth 15 për qind, ndërsa në lexim rreth 16 për qind.
Këto të dhëna tregojnë për nevojën e ndërhyrjeve më të mëdha në sistemin arsimor, me fokus në rritjen e cilësisë së mësimnxënies dhe përparimin e të gjithë nxënësve.
Raporti rekomandon edhe përdorim më efektiv të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në procesin arsimor, jo vetëm si mjete ndihmëse, por edhe për kërkim, analizë, verifikim dhe krijim të pavarur të njohurive.
Kina, Singapori dhe Japonia në krye
Në krye të renditjes së PISA 2025 janë Kina, Singapori dhe Japonia. Kina është renditur e para me 594 pikë, e ndjekur nga Singapori me 561 pikë, ndërsa Japonia është në vendin e tretë.
Ndërkohë, në PISA 2022, Kosova ishte renditur e 74-ta nga 80 shtete pjesëmarrëse.
Në atë edicion, rreth 85 për qind e 15-vjeçarëve në Kosovë nuk kishin arritur të zgjidhnin një detyrë të thjeshtë matematikore, ndërsa 83 për qind nuk kishin arritur të kuptonin një tekst me gjatësi mesatare.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se do t’i analizojë në detaje rezultatet e PISA 2025, të cilat pritet të shërbejnë si bazë për ndërhyrje sistematike, metodologjike dhe pedagogjike në kuadër të Strategjisë së re të Arsimit./Albinfo.ch






