Toshkovski: Të identifikuar autorët e vrasjes në Çair, njëri prej tyre në burg

Advertisement

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se autoritetet po punojnë intensivisht për zbardhjen e vrasjes së 26-vjeçarit në Çair, i cili u qëllua mbrëmjen e kaluar nga dy persona që lëviznin me motoçikletë.

Në një intervistë për Kanal 5, Toshkovski tha se MPB-ja ka të dhëna fillestare për personat e dyshuar dhe se janë siguruar prova lidhur me identitetin e autorëve. Sipas tij, njëri prej të dyshuarve aktualisht është duke vuajtur dënim me burg.

Ministri tha se për momentin nuk mund të konfirmojë motivin e vrasjes, ndërsa shprehu pritshmërinë që autorët të identifikohen dhe të përballen me ndjekje penale.

Sipas MPB-së, rasti është raportuar rreth orës 23:30, pranë kryqëzimit të rrugëve „Prohor Pçinski“ dhe „Vojdan Çernodrinski“ në Shkup. Në vendngjarje ndodheshin D.G. (29), A.Dz. (24), K.B. (36), E.B. (25) dhe A.M. (26), të gjithë nga Shkupi, të cilët qëndronin para një objekti të një kompanie.

Në atë moment, pranë grupit është ndalur një motoçikletë me dy persona, të cilët kanë hapur zjarr dhe më pas janë larguar. Nga të shtënat është goditur A.M., 26 vjeç, i cili është transportuar në Kompleksin Klinik „Nënë Tereza“, por ka ndërruar jetë.

Policia po vijon hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit