Arlinda Hasani Sinani dha betimin si zëvendësguvernatore e re e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriu

Advertisement

Zëvendësguvernatorja e sapozgjedhur e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, Arlinda Hasani Sinani, ka dhënë sot betimin solemn në zyrat e Kryetarit të Kuvendit. Me këtë akt zyrtar, ajo hyn zyrtarisht në detyrën e re me një mandat shtatëvjeçar, pasi u emërua në këtë post nga Kuvendi më 2 shtator, me propozim të guvernatorit Trajko Slaveski.

 

Arlinda Hasani Sinani vjen në institucionin qendror financiar jo nga bota akademike apo administrata shtetërore, por me një karrierë të gjerë prej më shumë dy dekadash në bankat komerciale. Ajo pason në këtë post ish-zëvendësguvernatorin Fadil Bajrami, i cili mbante këtë detyrë që nga viti 2005, duke shënuar kështu një ndryshim të profilizimit profesional në majën e udhëheqjes së bankës qendrore.

 

Arlinda Hasani Sinani është e diplomuar në shkenca ekonomike dhe mbart prapa vetes 22 vjet përvojë të pandërprerë në sektorin bankar.

 

Gjatë karrierës së saj, ajo ka mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese në „ProCredit Bank“ SHPK Shkup dhe „Stopanska Banka“ SH.A. Shkup. Prej vitit 2003 e deri në emërimin e saj si zëvendësguvernatore, ajo ka shërbyer si Drejtoreshë Rajonale për Rajonin Veriperëndimor në Stopanska Banka.

 

Në regjistrat publikë dhe ato të institucioneve financiare, ajo po ashtu është evidentuar si përfaqësuese e licencuar e sigurimeve për disa klasa të sigurimit të jetës dhe jo-jetës, çka dëshmon se aktiviteti i saj profesional ka përfshirë shërbimet financiare edhe përtej bankimit klasik.

 

Kalimi nga sektori komercial në atë qendror përbën një kthesë thelbësore në karrierën e saj.

 

Arlinda Hasani Sinani e merr këtë detyrë në një periudhë kur sektori bankar përballet me sfida komplekse paralele, përfshirë presionet inflacionare, rritjen e kredive, kushtet e normave të interesit dhe digjitalizimin e pagesave.

 

Përvoja e saj e gjatë praktike me menaxhimin e rreziqeve dhe korporatave pritet të kontribuojë në forcimin e kapacitetit profesional të Këshillit të Bankës Popullore, duke shënuar një epokë të re në udhëheqjen e institucionit.(INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit