Shkup, 6 shttaor Zhurnal.mk – Duhanpirja dhe ajri i ndotur janë ndër faktorët kryesorë për zhvillimin e kancerit në mushkëri thonë mjekët. Sipas tyre pacientët që vuajnë në kanceri i mushkërive duhet patjetër ta lënë duhanin dhe të merren me aktivitet fizik si dhe të ushqehen më shëndetshëm.
Numri i pacientëve me karcinom të mushkërive është në rritje informon për TVM2 pulmologu Zekirja Shaini. Sipas tij aktualisht në klinikën e Plulomolgjisë janë të hospitalizuar 40 pacientë që presin për diagnostikim. Sipas mjekëve karcinomi i mushkërive kohëve të fundit nuk njeh moshë, ka filluar ti prek edhe moshat e reja.
“Numri i pacientëve është shumë i madh çdo ditë pavarësisht se jemi në stinën e verës numri i pacientëve është enorm shumë i madh në krahasim me periudhën para koronës. Tani kemi pacientë që kërkojnë ndihmë tek ne është me karcinom të mushkërive. Karcinomi i mushkërive është një sëmundje që ka marrë një përhapje me shpejtësi shumë të madhe fatkeqësisht që po i prek edhe moshat e reja duke filluar nga mosha 50 vjeçare dhe më lartë.”, u shpreh për TVM2 pulmologu Zekirja Shaini.
Qytetarët e anketuar nga ekipi ynë thonë se janë duhanpirës me vite të tëra dhe nuk munden ta lënë, edhe pse janë të vetëdijshëm për pasojat.
“E pimë duhanin prej në vegjëli. E di që është e dëmshme por mua nuk më pengon, ka 40 vite që e pi.”, u shpreh për TVM2 një qytetar.
“E pi 50 vite duhanin, e kam lënë 7 vite por prapë e kam vazhduar. Pi çajra dhe me sport merrem, biçikletën e ngas për 30 vite.”, tha për TVM2 një qytetar.
“E dëmshme është edhe doktori më ka thënë ta lë por s’mundem. Asnjëherë, shok më të ngushtë e kam.”, u shpreh për TVM2 një qytetar.
Shaini: Zbulimi i hershëm, çelësi i shërimit
Parandalimi, siç thonë mjekët është detektimi i sëmundjes në kohë.
“Pacientët të cilët ndjejnë një çrregullim në aparatin respirator qoftë një kollë me gjak, qoftë një dhimbje gjoksi është mirë të drejtohen tek mjeku amë dhe me një rentgen të thjeshtë detektohet, se nëse sëmundja detektohet në kohë edhe shërimi është 100 përqind më i mirë.”, u shpreh për TVM2 pulmologu Zekirja Shaini.
Pulmologu Zekirja Shaini rekomandon qytetarët që të kujdesen për shëndetin e tyre, të hanë ushqim të shëndetshëm, të merren çdo ditë me aktivitet fizik si dhe të bëjnë kontrolle më të shpeshta tek mjeku që të evitohen sëmundjet e ndryshme.






