Ryshfet për një vend pune, arrestohet shoferi i Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë

Advertisement

Një person nga Shkupi është privuar nga liria pasi dyshohet se ka kërkuar 1.500 euro për të ndërmjetësuar për punësimin e një qytetari në Qytetin e Shkupit.

Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë – Njësia për Korrupsion pranë MPB-së ka paraqitur kallëzim penal kundër D.C. (49) nga Shkupi, i punësuar në Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ai dyshohet për veprën penale “Pranim i shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”.

Sipas MPB-së, rasti është zbuluar pas një denoncimi nga një qytetar, i cili ka raportuar se nga ai janë kërkuar para për ndërmjetësim për punësim në Qytetin e Shkupit.

I dyshuari dyshohet se ka kërkuar gjithsej 1.500 euro, ndërsa 500 euro i ka kërkuar si këst të parë, duke pretenduar se njeh persona që mund të ndikojnë në procedurën e punësimit.

Pas denoncimit, policia ka ndërmarrë masa për dokumentimin e rastit. Më 4 shtator 2026, rreth orës 17:50, në territorin e Shkupit, denoncuesi i ka dorëzuar të dyshuarit pesë kartëmonedha nga 100 euro, të cilat paraprakisht ishin përpunuar nga ana e policisë.

Gjatë kontrollit në automjetin zyrtar të të dyshuarit janë gjetur paratë, ndërsa i është sekuestruar edhe një telefon celular.

D.C. është privuar nga liria, ndërsa ndaj tij është paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit