Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar, PDK paralajmëron veprime

Advertisement

“Sot fillon një fazë e re, një fazë në të cilën Partia Demokratike e Kosovës nuk do të mjaftohet vetëm me thirrjet e saj që ligjshmëria të respektohet. Do të veprojë me pjekuri, me përgjegjësi dhe me të gjitha mjetet demokratike e institutionalet që na jep rendi kushtetues i Republikës së Kosovës.” – Bedri Hamza, Kryetar i PDK-së.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka renditur tri dimensione përmes të cilave, Lëvizja Vetëvendosje ka shkelur Kushtetutën. Sipas Ramadanit, bëhet fjalë për shkeljen e frymës së Kushtetutës, mosrespektimin e interpretimit dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe shkeljen e obligimeve kombëtare, morale e shtetërore për t’i dhënë Kosovës institucionet.

“Kurti, pa pyetur asnjë, e domethënë pa pyetur fare as Vetëvendosjen, ka vazhduar me shkelje brutale të Kushtetutës dhe të rendit tonë kushtetues. Është e qartë se kaosi institucional dhe jo-stabiliteti institucional është një nga rezultatet kryesore të këtij dështimi. Dhe deputetët e Vetëvendosjes, fatkeqësisht, ose më saktësisht një pjesë e tyre, në bazë të asaj që ka shfaqur Vetëvendosja, janë në shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës sonë, të rendit tonë kushtetues. Kjo është një goditje e madhe për demokracinë dhe për të mbrojtur demokracinë,” Burim Ramadani, Aleanca.

Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet 30 ditë nga certifikimi i rezultatit zgjedhor. Ky afat ka skaduar më 7 gusht. Seanca konstituive – që nisi më 6 gusht – është caktuar që të vazhdohet më 9 shtator nga kryesuesi i saj, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje. Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit më herët kishte argumentuar se afati 30-ditor vlen nga nisja e seancës, pra nga 6 gushti dhe ky afat, sipas këtij interpretimi, skadon sot. Kurti ka këmbëngulur se konstituimit të Kuvendit duhet t’i paraprijë një marrëveshje për çështjen e presidentit. Një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së për këtë temë u arrit më 31 gusht, por vetëm një ditë pas prezantimit të Bekim Sejdiut si kandidat konsensual, gjashtë deputetë të LDK-së thanë se nuk kanë votë për të. Nëse deputetët nuk e zgjedhin presidentin e ri, atëherë Kosova do të mbajë zgjedhjet e katërta në më pak se dy vjet dhe të dytat për shkak të moskonsensusit për çështjen e kreut të shtetit. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit