Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Familjes dhe Shërbimeve Sociale e Republikës së Turqisë kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi në fushën e shërbimeve sociale. Dokumentin e nënshkruan ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski, dhe ministrja e Familjes dhe Shërbimeve Sociale e Republikës së Turqisë, Mahinur Özdemir Göktaş.
Memorandumi përbën bazë për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave të mira në disa fusha me rëndësi për avancimin e mbrojtjes sociale dhe mirëqenies së qytetarëve.
Sipas Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, bashkëpunimi përfshin fusha që lidhen me forcimin e familjes, zhvillimin dhe përmirësimin e shërbimeve sociale për familjet, gratë, fëmijët, personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit, si dhe përmirësimin e integrimit social të personave me varësi.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe avancimit të politikave dhe shërbimeve për punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri, mbështetjes së plakjes aktive, zhvillimit të shërbimeve për fëmijët, fuqizimit të grave dhe zhvillimit të mekanizmave të bashkëpunimit në luftën kundër dhunës ndaj grave.
Memorandumi parashikon gjithashtu shkëmbimin e përvojave në fushën e ndihmës sociale, praktikave të shërbimeve sociale, monitorimit dhe vlerësimit të tyre, si dhe përdorimin e analizave kulturore, demografike dhe socio-ekonomike për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve romë.
Bashkëpunimi mes dy ministrive do të realizohet përmes shkëmbimit të njohurive, dokumenteve dhe praktikave më të mira, shkëmbimit të ekspertëve, si dhe organizimit të konferencave, seminareve dhe takimeve profesionale.
“Me nënshkrimin e këtij Memorandumi krijojmë një bazë shtesë për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive dhe për avancimin e politikave dhe shërbimeve sociale. Qëllimi ynë është që praktikat dhe përvojat e mira t’i shndërrojmë në zgjidhje konkrete që do të kontribuojnë në cilësi më të mirë të jetës dhe mbrojtje më të fuqishme sociale për qytetarët”, theksoi ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski.
Me Memorandumin vendoset një kuadër për komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm institucional mes dy ministrive, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e përbashkët të politikave dhe shërbimeve në fushën e mbrojtjes sociale. Memorandumi është lidhur për një periudhë prej pesë vitesh, me mundësi vazhdimi automatik.






