Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar Greqinë se Turqia mund të hapë kufijtë për refugjatët, pas deklaratave të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, i cili kishte thënë se Turqia është burim i emigracionit.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin hungarez Viktor Orban, Erdogan tha se deklaratat e Mitsotakis janë të papranueshme, duke theksuar se Turqia aktualisht strehon rreth pesë milionë refugjatë.
“Është mosmirënjohje të thuhet se problemi i refugjatëve e ka burimin në Turqi. Nëse ne hapim dyert, nuk e di se çfarë do të bëjë Greqia”, deklaroi Erdogan.
Ai akuzoi gjithashtu autoritetet greke për vdekjen e refugjatëve në det dhe tha se për këto raste, sipas tij, ekzistojnë fakte.
Nga ana tjetër, kryeministri hungarez Viktor Orban i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të respektojë marrëveshjet me Turqinë për menaxhimin e flukseve të refugjatëve.
“Nëse Bashkimi Evropian nuk siguron kufijtë e tij, ai do të shpërbëhet. Turqia ka një rol kyç në parandalimin e një situate të rëndë me refugjatët”, tha Orban, duke kërkuar vazhdimin e mbështetjes financiare për Ankaranë.
Në takimin mes dy liderëve u diskutua edhe kriza energjetike, me Erdogan dhe Orban që ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve për përballimin e situatës.






