Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka anuluar vizitën e planifikuar në Serbi, ndërsa si arsye është përmendur glorifikimi i ish-komandantit serb të dënuar për krime lufte, Ratko Mlladiq.
Kos ka theksuar se glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte nuk është në përputhje me vlerat evropiane.
Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe LSDM-ja, e cila e ka lidhur rastin me qëndrimet e disa përfaqësuesve politikë në Maqedoninë e Veriut.
Nga LSDM-ja shprehen kritika ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski për mënyrën se si, sipas tyre, është trajtuar çështja e deklaratave të zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq dhe Dalibor Kitanoviqit lidhur me Mlladiqin.
Partia vlerëson se institucionet duhet të kenë një qëndrim të qartë ndaj glorifikimit të personave të dënuar për krime lufte dhe kërkon që vendi të vazhdojë të ndjekë rrugën drejt Bashkimit Evropian.
LSDM-ja gjithashtu shpreh shqetësimin se politikat aktuale të Qeverisë mund të ndikojnë në procesin e integrimit evropian të vendit.






