Krijimi i kushteve që inxhinierët e rinj të zhvillojnë talentin, njohuritë dhe potencialin e tyre krijues në vend është një qëllim strategjik, nga i cili varen zhvillimi dhe e ardhmja e shtetit, deklaroi presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Unaza Inxhinierike 2026” në Ohër.
Në edicionin e 23-të të manifestimit tradicional, çmimi prestigjioz iu nda 14 inxhinierëve të rinj, të cilët kanë arritur rezultate të spikatura gjatë studimeve.
Siljanovska-Davkova theksoi rëndësinë e kuadrove të reja për zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të vendit.
“Duhet të bëhemi të vetëdijshëm se në kohën kur dija është resursi më i rëndësishëm zhvillimor, nga qëndrimi i përgjegjësve ndaj më të diturve, më të talentuarve dhe më kompetentëve të rinj varet prosperiteti i shtetit tonë”, tha ajo.
Presidentja vlerësoi se studentët e suksesshëm përfaqësojnë një kapital të çmuar shoqëror, ndërsa aftësia për t’i identifikuar dhe mbështetur në kohë është e rëndësishme për rritjen e konkurrueshmërisë teknologjike dhe kapacitetit ekonomik të vendit.
Duke folur për rëndësinë e inxhinierisë, ajo theksoi se përparimet historike janë të lidhura ngushtë me aftësinë për t’i shndërruar njohuritë shkencore në zgjidhje konkrete që ndikojnë në jetën e përditshme, prodhim dhe komunikim.
Mesazhe për inxhinierët e rinj dhanë edhe përfaqësuesit e institucioneve profesionale. Presidenti i Institucionit Inxhinierik të Maqedonisë, Andrej Lepavcov, i bëri thirrje të rinjve të qëndrojnë në vend dhe të angazhohen në projektet e mëdha infrastrukturore dhe digjitale.
“Qëndroni në vend. Na nevojitet mendja juaj për të projektuar dhe realizuar projektet strategjike që do të përcaktojnë dhjetëvjeçarin e ardhshëm”, tha Lepavcov.
Ndërkaq, presidenti i Odës së Arkitektëve dhe Inxhinierëve të Autorizuar, Dejan Metikos, theksoi se marrja e diplomës nuk nënkupton përfundimin e arsimit, por fillimin e zhvillimit profesional.
“Detyra jonë është të krijojmë kushte që inxhinierët të përmirësohen vazhdimisht, të ndjekin standardet moderne dhe të ndërtojnë karrierën e tyre këtu, në vend. Nëse duam shtet modern, duhet të kemi edhe inxhinieri moderne”, deklaroi Metikos.






