Zv. kryeministri, Bekim Sali mori pjesë në takimin joformal të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, të mbajtur në Dublin nën kryesimin irlandez të Këshillit të BE-së. Sesioni kushtuar zgjerimit bashkoi ministrat e shteteve anëtare të BE-së me përfaqësuesit e vendeve kandidate dhe partnere për të diskutuar përshpejtimin e reformave dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Sali theksoi se zgjerimi nuk është më vetëm zgjedhje politike, por domosdoshmëri gjeopolitike dhe investim në sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë e Evropës.
Ai nënvizoi se Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj integrimit evropian, zbatimit të reformave dhe harmonizimit të plotë me vlerat dhe politikat e Bashkimit Evropian.
Duke iu referuar përvojës së vendit në procesin e anëtarësimit, Sali vlerësoi se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ka qenë një nga shtyllat kryesore të transformimit evropian të shtetit, duke forcuar legjislacionin, ekonominë dhe administratën.
Megjithatë, ai theksoi se sfida kryesore sot është zbatimi efektiv i reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe administratën publike.
Sali përshëndeti vizionin e Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, për një model më ambicioz të integrimit gradual, i cili u mundëson vendeve kandidate të përfshihen gradualisht në politikat, programet dhe pjesë të Tregut të Vetëm të BE-së para anëtarësimit.
Ai theksoi se integrimi gradual duhet të përshpejtojë përgatitjet, të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset dhe të forcojë besimin në proces, ndërsa objektivi përfundimtar mbetet anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian.
Në këtë kontekst, Sali bëri thirrje për mbështetje më të koordinuar nga shtetet anëtare, përmes ekspertizës së drejtpërdrejtë, TAIEX-it, Twinning-ut dhe angazhimit afatgjatë të ekspertëve evropianë në institucionet vendase.
Ai theksoi se procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i drejtë, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita, në mënyrë që rezultatet dhe vendimet e vështira politike të përcillen me progres konkret.






