Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë shqiptare se po ushtron presion ndaj bizneseve përmes taksave dhe gjobave, duke pretenduar se kontrollet fokusohen te subjektet që respektojnë ligjin, ndërsa evazorët fiskalë tolerohen.
Sipas Tabakut, vetëm gjatë viteve 2022 dhe 2023, administrata tatimore ka vendosur 4.6 miliardë lekë penalitete.
Ajo tha se qeveria duhet të përqendrohet më shumë te ekonomia informale, e cila sipas saj përbën rreth 40 për qind të ekonomisë shqiptare, në vend që presioni të rëndojë mbi bizneset e rregullta.
“Gjatë vitit 2024, në Shqipëri janë vendosur 28 milionë euro penalitete. Në Serbi janë vendosur 4.6 milionë euro, ndërsa në Malin e Zi 1.4 milionë euro. Ky është një krahasim i thjeshtë për të treguar se si gjoba po kthehet në mjet presioni”, deklaroi Tabaku.
Deputetja kërkoi gjithashtu transparencë më të madhe për mënyrën se si funksionon sistemi i gjobave. Ajo tha se ende nuk ka të dhëna të plota se sa gjoba vendosen, sa prej tyre arkëtohen dhe sa rrëzohen pas ankesave administrative apo vendimeve gjyqësore.
Tabaku përmendi edhe Regjistrin e Unifikuar të Gjobave, i cili sipas saj është krijuar vetëm në vitin 2026, pas vitesh të tëra me mungesë koordinimi dhe informacioni mbi sistemin e penaliteteve.
“Ka një arsye pse Shqipëria është kthyer në vendin ku gjoba përdoret kaq shpesh. Ka një arsye pse tatimorët trokasin në dyert e bizneseve dhe ka një arsye pse qytetarët nuk e dinë sa gjoba vendos qeveria, sa prej tyre mbledh dhe sa fal”, tha ajo.
Tabaku e cilësoi sistemin aktual si një mekanizëm që, sipas saj, rrit presionin ndaj biznesit dhe e përdor gjobën si instrument kontrolli.
“Një sistem që kërkon të komandojë gjithçka përmes një autokracie gjobash dhe taksës së korrupsionit. Ky sistem duhet rrëzuar, sepse sa më shumë zgjat, aq më shumë shtohen gjobat, aq më të larta bëhen penalitetet dhe aq më shumë rritet presioni ndaj biznesit”, përfundoi Tabaku.






