Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur idenë që Ngushtica e Hormuzit të riemërtohet, duke pyetur në mënyrë provokuese nëse rruga strategjike ujore mund të quhet “Ngushtica e Trumpit”.
“Tani që e kemi nën kontrollin e SHBA-së, a duhet ta ndryshojmë emrin Ngushtica e Hormuzit në NGUSHTICA E TRUMPIT?”, shkroi Trump në rrjetin e tij social, Truth Social.
“Ashtu si vetë Amerika, kjo do të ishte më e nxehtë se kurrë më parë!”, shtoi ai.
Trump ka promovuar në vazhdimësi ide për ndryshimin e emrave të vendeve dhe hapësirave gjeografike. Së fundmi, ai ka propozuar edhe ndryshimin e emrit të liqenit Ontario në “Liqeni Amerika”, një ide që është kundërshtuar nga Kanadaja.
Në rastin e Ngushticës së Hormuzit, megjithatë, mbetet e paqartë se si do të mund të realizohej një ndryshim i tillë. Në pjesën veriore të ngushticës ndodhen ujërat territoriale të Iranit, ndërsa në jug ato të Omanit.
Në pikën më të ngushtë, Ngushtica e Hormuzit është rreth 39 kilometra e gjerë. Të dyja vendet pretendojnë ujëra territoriale deri në 12 milje detare, ose rreth 22.2 kilometra, çka bën që zonat e tyre territoriale të mbivendosen. Për rrjedhojë, në këtë pjesë nuk ka ujëra ndërkombëtare.
Megjithatë, para shpërthimit të luftës, anijet tregtare kalonin nëpër ngushticë pa pengesa të mëdha.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës, gazit dhe plehrave.
Trump kishte folur edhe më herët, pjesërisht në mënyrë shakatore, për mundësinë që ngushtica të mbante emrin e tij. Muajin e kaluar ai deklaroi gjithashtu se dëshironte që pas përfundimit të luftës me Iranin, Ngushtica e Hormuzit të shpallej territor i Shteteve të Bashkuara, pa dhënë detaje se si do të realizohej një masë e tillë.
Pas fillimit të luftës, Irani nisi të kufizojë ndjeshëm qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit përmes kërcënimeve dhe sulmeve ndaj anijeve.
Çështja e ngushticës është shndërruar në një nga pikat kryesore të përplasjes mes Uashingtonit dhe Teheranit. Ndërkohë, rritja e çmimeve të karburanteve gjatë luftës po shton presionin politik ndaj Trumpit dhe republikanëve përpara zgjedhjeve të rëndësishme për Kongresin në fillim të nëntorit.
Pavarësisht kufizimeve të vendosura ndaj transportit tregtar, administrata amerikane vazhdon të deklarojë se Ngushtica e Hormuzit është nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara.






