Shtyhet procesi gjyqësor për zjarrin në “Pulse”: Prindërit kërkojnë fokus dhe drejtësi

Advertisement

Në seancën e sotme gjyqësore për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, mbrojtja e të akuzuarve i ka drejtuar një sërë pyetjesh ekspertëve, profesor Goran Markovski dhe profesoreshës Dushica Angjelkoviq, duke u fokusuar kryesisht në statusin urbanistik të objektit.

Pyetjes së avokatit të ish‑kryetarit të Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, se a ekziston në Ligjin për ndërtim definicioni për “ndërtesë për shërbime hotelerie”, eksperti Markovski i është përgjigjur se kjo kategori nuk është e veçuar në këtë ligj, por lidhet me Ligjin për urbanizëm. Ndërkaq, Angjelkoviq ka sqaruar se ekipi ka punuar duke u bazuar në ekstraktin nga Plani Urbanistik Detajuar, ku objekti figuron në zonën për industri të lehtë dhe biznes të vogël.

Procesi i sotëm ka nxitur pakënaqësi te prindërit e viktimave, të cilët kanë akuzuar mbrojtjen për zvarritje të qëllimshme. Nëna Mita Taseva ka deklaruar se pyetjet e përsëritura nuk sjellin asnjë fakt të ri, por vetëm humbin kohë. Ndërsa babai Dragi Stojanov ka nënkuptuar se familjet do të vazhdojnë betejën e tyre:

“Duan ta zvarrisin gjyqin dhe të na lodhin, por ne nuk dorëzohemi. Do të luftojmë për drejtësinë derisa të na rrahë zemra.”

Përballja gjyqësore po udhëhiqet nga gjyqtarja Diana Gruevska‑Ilievska, kurse aktakuza përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë. Pas përfundimit të ekspertizës ndërtimore pritet të mbyllet faza e provave të Prokurorisë, për t’i hapur rrugë mbrojtjes që të fillojë me paraqitjen e provave të veta.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit