Shasivari takon ambasadorin zviceran, diskutohet forcimi i bashkëpunimit në drejtësi

Advertisement

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, zhvilloi sot takim pune me ambasadorin e Konfederatës Zvicerane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Christoph Zomer.

Gjatë takimit, Shasivari theksoi se Ministria e Drejtësisë po punon për ndërtimin e një sistemi gjyqësor më efikas dhe funksional, me synim rritjen e sigurisë dhe besimit të qytetarëve në institucionet.

Ai vuri në dukje rëndësinë e shfrytëzimit të përvojave të vendeve që kanë praktika të suksesshme në fushën e sundimit të ligjit.

Në takim u diskutua edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me Zvicrën, përmes mbështetjes së projekteve, shkëmbimit të njohurive dhe përvojave, si dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.

Ambasadori Zomer prezantoi Programin Zviceran për bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut dhe mundësitë për zgjerimin e tij në fusha që lidhen me reformat dhe zhvillimin institucional. Ai shprehu gatishmërinë e Zvicrës për vazhdimin e partneritetit dhe mbështetjen e nismave që kontribuojnë në forcimin e sundimit të ligjit.

Bashkëpunimi i deritanishëm mes dy vendeve u vlerësua si një bazë e mirë për realizimin e aktiviteteve të reja të përbashkëta.

Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, me synim që përvojat dhe mbështetja evropiane të përkthehen në përmirësime konkrete në punën e institucioneve dhe shërbimet për qytetarët.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit