Mbi gjysmë milioni nxënës dhe mësues në qytetin e New York-ut do të përballen me kufizime të reja sa i përket përdorimit të inteligjencës artificiale gjatë vitit akademik 2026–2027.
Shkollat publike të New York-ut, që përbëjnë distriktin më të madh shkollor në Shtetet e Bashkuara, kanë konfirmuar vendosjen e një moratoriumi për përdorimin e inteligjencës artificiale gjenerative nga nxënësit, nga niveli parashkollor 2-K deri në klasën e 8-të.
Masa prek veçanërisht nxënësit në moshat e hershme, ndërsa shkollat pritet të rikthehen javën e ardhshme me rregulla të reja për përdorimin e teknologjisë.
Kryetari i Bashkisë së New York-ut, Zohran Mamdani, deklaroi se qyteti do ta shfrytëzojë vitin e ardhshëm për të studiuar ndikimin e inteligjencës artificiale në arsim.
Sipas tij, synimi është që autoritetet të kuptojnë më mirë ndikimin e kësaj teknologjie te nxënësit, procesi mësimor dhe mënyra e zhvillimit të arsimit në shkolla.
Vendimi është marrë në një kohë kur përdorimi i mjeteve të AI nga nxënësit është shndërruar në një nga çështjet më të diskutuara në sistemet arsimore amerikane.
Ndërsa disa mjete të inteligjencës artificiale mund të ndihmojnë në mësim dhe kërkim, kritikët paralajmërojnë për rritjen e kopjimit, varësinë nga teknologjia, dobësimin e aftësive të shkrimit dhe të menduarit kritik, si dhe vështirësinë për të dalluar punën e nxënësve nga përmbajtja e krijuar nga AI.
Nga ana tjetër, disa ekspertë të arsimit kanë kërkuar që në vend të ndalimeve të plota të vendosen rregulla dhe udhëzime të qarta për përdorimin e inteligjencës artificiale në shkolla.
New York-u ka zgjedhur një qasje më kufizuese, duke parashikuar një periudhë njëvjeçare për të vlerësuar ndikimin e teknologjisë, përpara se të përcaktohet mënyra e përdorimit të saj në të ardhmen.






