Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka informuar gjatë takimit të sotëm për situatën aktuale brenda kësaj partie.
Kurti tha se gjatë takimit është diskutuar edhe për marrëveshjen politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për zgjedhjen e presidentit, e cila, sipas tij, nuk po mund të realizohet për shkak të kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së ndaj kandidatit të propozuar, Bekim Sejdiu.
“Ne ndajmë keqardhjen me të gjithë për faktin se kjo marrëveshje nuk po mund të realizohet, pasi gjashtë deputetë të LDK-së nuk po e respektojnë atë”, tha Kurti para mediave.
Ai bëri të ditur se në takim kanë qenë gjithsej 10 persona, pesë prej të cilëve pjesë e qeverisë dhe pesë të Kuvendit, ndërsa falënderoi pjesëmarrësit për kontributin dhe angazhimin e tyre.
Kurti tha se do të përpiqen të shmangin zgjedhjet e reja, duke theksuar se marrëveshja për presidentin tashmë ekziston.
“Do të përpiqemi t’i evitojmë zgjedhjet e reja. Dje pasdite ndodhi një zhvillim negativ, por kemi pasur progres dhe në këtë legjislaturë jemi më mirë se në të kaluarën sa i përket numrit të votave për president”, deklaroi ai.
Kryeministri në detyrë shtoi se Abdixhiku e ka informuar për zhvillimet brenda LDK-së, ndërsa ai vetë e ka njoftuar për diskutimet me grupin parlamentar të Vetëvendosjes.
“Na duhet një mbledhje e re për të parë mundësitë që të ecim përpara”, tha Kurti.
Ai konfirmoi se kandidati i propozuar për president vazhdon të jetë Bekim Sejdiu.
“Propozimi është Bekim Sejdiu, jemi marrë vesh. Negociatat kanë rezultuar me marrëveshje. Ta shohim tash se çfarë mund të bëjmë më tutje”, u shpreh Kurti.






