Janevska: Mësimi gjatë temperaturave të larta duhet të përshtatet sipas protokolleve

Advertisement

Mësimi gjatë ditëve me temperatura shumë të larta duhet të zhvillohet në përputhje me protokollet për veprim në kushte të nxehtësisë ekstreme, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse orët mësimore do të shkurtohen gjatë ditëve të nxehta, Janevska tha se protokollet janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë dhe u janë dërguar të gjitha shkollave.

Ajo theksoi se ndryshimet klimatike dhe temperaturat e larta janë një sfidë me të cilën përballen fëmijët në Evropë dhe në mbarë botën, por kjo, sipas saj, nuk duhet të nënkuptojë ndërprerjen e procesit mësimor.

Janevska tha se drejtuesit e shkollave dhe mësuesit duhet t’i përshtatin aktivitetet me kushtet atmosferike. Në rast të temperaturave të larta, për shembull, orët e edukatës fizike mund të zëvendësohen me pushim, art figurativ, muzikë apo aktivitete të tjera.

Sipas ministres, protokollet përcaktojnë edhe mënyrën e ajrosjes së klasave, përfshirë kohën kur duhet të hapen dhe mbyllen dritaret, si dhe aktivitetet që mund të zhvillohen në kushte të nxehtësisë së madhe.

Sa i përket pajisjes së shkollave me kondicionerë, Janevska tha se ato do të sigurohen në momentin kur shteti të ketë mundësi t’i pajisë të gjitha shkollat.

“Po veprojmë sipas prioriteteve dhe po bëjmë shumë. Besoj se në një periudhë të afërt nuk do të përballemi me një sfidë të tillë”, deklaroi Janevska.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit