Mickoski: Bashkëpunimi ekonomik me Hungarinë ka potencial të madh për rritje

Advertisement

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, nga Budapesti deklaroi se vendi mbetet i hapur për investime të reja dhe partneritete, duke vlerësuar se bashkëpunimi ekonomik me Hungarinë ka hapësirë të konsiderueshme për zgjerim.

Gjatë fjalimit në forumin e biznesit të dedikuar bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, Mickoski tha se takimet e tilla krijojnë mundësi për kontakte të drejtpërdrejta mes kompanive, zgjerim në tregje të reja dhe krijimin e modeleve të reja të biznesit.

Ai veçoi edhe linjën e re ajrore Shkup–Budapest, për të cilën tha se do të kontribuojë në forcimin e lidhjeve ekonomike, zhvillimin e turizmit dhe rritjen e interesit për investime.

Mickoski rikujtoi se në vitin 2024 Maqedonia e Veriut shënoi nivel rekord të investimeve të huaja direkte, në vlerë prej rreth 1,25 miliardë dollarësh. Sipas tij, ky rezultat lidhet edhe me përpjekjet për krijimin e një klime biznesi më stabile dhe të parashikueshme.

Kryeministri theksoi se stabiliteti politik, reformat në sundimin e ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe digjitalizimi janë faktorë të rëndësishëm për tërheqjen e investimeve të reja.

Ai ftoi kompanitë hungareze të shqyrtojnë mundësitë për investime në Maqedoninë e Veriut, ndërsa theksoi se edhe kompanitë vendase kanë interes për zgjerim dhe bashkëpunim në tregun hungarez.

Në forumin e biznesit morën pjesë dhjetëra kompani nga Maqedonia e Veriut, të cilat zhvilluan takime me përfaqësues të komunitetit të biznesit hungarez, me synim krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim dhe investime.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit