VMRO-DPMNE akuzon Gerasimovskin për betonizim të Qendrës dhe kërkon llogari për lejet e ndërtimit

Advertisement

Qendra e VMRO-DPMNE-së ka reaguar ndaj kryetarit të Komunës Qendër, Goran Gerasimovskit, duke e akuzuar për dhënien e një numri të madh lejesh ndërtimi dhe për, siç thonë nga partia, betonizimin e komunës.

Nga VMRO-DPMNE thonë se Gerasimovski duhet t’u japë përgjigje qytetarëve për lejet e ndërtimit që janë dhënë gjatë mandatit të tij, duke ngritur pikëpyetje se përse ai tani kundërshton ndërtime për të cilat më herët janë dhënë leje.

“Goran ‘Beton’ Gerasimovski, për të gjitha pyetjet mund ta gjejë përgjigjen nëse kujton se çfarë mendonte në momentin kur vetë dha leje për ndërtimet për të cilat flet sot”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Nga partia akuzojnë Gerasimovskin se vetëm tani po zhvillon aktivitete në terren dhe se më herët, sipas tyre, ka qenë përgjegjës për miratimin e një numri të madh lejesh ndërtimi.

VMRO-DPMNE gjithashtu pretendon se politikat e mëparshme të LSDM-së në Komunën Qendër i kanë kushtuar komunës 2.5 milionë euro dëmshpërblim ndaj kompanisë ndërtimore “Pelagonia”, pagesë që, sipas tyre, është bërë ndër vite.

Në reagim, partia opozitare e lidh këtë çështje edhe me akuzat për korrupsion dhe keqmenaxhim gjatë periudhës së qeverisjes së LSDM-së në Qendër.

“Goran ‘Beton’ Gerasimovski duhet të shohë ndërtesat që janë miratuar gjatë mandatit të tij dhe të japë përgjigje për to”, përfundojnë nga VMRO-DPMNE.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit