Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas protestës së kryetarëve të komunave para Qeverisë së Kosovës, duke kritikuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.
Haradinaj ka deklaruar se komunat dhe kryetarët e tyre janë detyruar të protestojnë për të kërkuar të drejtat dhe kompetencat që, sipas tij, u garantohen me ligj.
“Regjimi Kurti nuk ju la rrugë tjetër kryetarëve të komunave dhe komunave të dalin në rrugë. Boll është boll”, ka shkruar Haradinaj.
Protesta u organizua në shenjë kundërshtimi ndaj disa vendimeve dhe politikave të nivelit qendror. Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka paraqitur një sërë kërkesash drejtuar Qeverisë.
Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka theksuar se protesta nuk ka karakter partiak dhe se kërkesat nuk janë personale të kryetarëve të komunave.
Sipas tij, komunat kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre lidhur me buxhetin, pronën, kompetencat dhe trajtimin e barabartë institucional, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Ndër kërkesat e AKK-së janë kompensimi i detyrimeve financiare që rrjedhin nga kontratat kolektive, mbulimi nga buxheti qendror i kompensimit retroaktiv për përvojën e punës dhe rishikimi i kritereve për grantin specifik të arsimit.
AKK-ja ka kërkuar gjithashtu ndalimin e asaj që e cilëson si centralizim dhe cenim të kompetencave komunale, si dhe përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian.
Në kërkesat e tyre përfshihen edhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë natyrore, si dhe krijimi i një granti të katërt për investime kapitale.
Ibrahimi ka bërë thirrje për dialog institucional me Qeverinë, duke theksuar se komunat do të vazhdojnë t’i mbrojnë interesat e tyre përmes mjeteve demokratike dhe institucionale.






