Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale shënoi Ditën e Minatorëve – 28 Gushtin, duke prezantuar rezultatet e arritura në sektor, të ardhurat rekord nga tarifat e koncesioneve dhe masat për modernizimin e industrisë minerare.
Në ceremoninë e organizuar në Shkup morën pjesë përfaqësues të sektorit minerar, kompanive, institucioneve, komunitetit të biznesit, shkencës dhe akademisë, si dhe minatorë me përvojë shumëvjeçare. Mesazhi kryesor ishte se zhvillimi i ardhshëm i minierave duhet të bazohet në siguri, modernizim, shfrytëzim të përgjegjshëm të pasurive natyrore dhe përfitime konkrete për komunitetet lokale.
“Në qendër të kësaj dite ka qenë gjithmonë dhe duhet të mbetet njeriu – dinjiteti, siguria dhe respekti për punën e tij. Minierat janë një pjesë e rëndësishme e ekonomisë së Maqedonisë, por zhvillimi i tyre i ardhshëm duhet të mbështetet në rregulla të qarta, mbikëqyrje më të fortë institucionale, siguri më të madhe, teknologji moderne dhe përfitime konkrete për komunitetet ku kryhet shfrytëzimi”, theksoi ministrja Sanja Bozhinovska.
Në fjalën e saj, Bozhinovska veçoi të ardhurat nga tarifat e koncesioneve. Gjatë vitit 2025 janë arkëtuar mbi 1.22 miliardë denarë, që paraqet nivelin më të lartë të regjistruar deri më tani. Trendi pozitiv ka vazhduar edhe gjatë vitit 2026, pasi vetëm në gjashtë muajt e parë janë arkëtuar rreth 574 milionë denarë, më shumë se dyfishi i shumës së arkëtuar në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Sipas ministres, rritja e të ardhurave është rezultat i përmirësimit të sistemit të arkëtimit, forcimit të mbikëqyrjes institucionale, kontrolleve më të shpeshta dhe përmbushjes më të përgjegjshme të detyrimeve nga ana e koncesionarëve.
Në vitin 2025, në Maqedoni janë prodhuar 130.174 tonë koncentrat bakri, plumbi dhe zinku. Sektori minerar ka përbërë 10,9 për qind të prodhimit industrial dhe 2,8 për qind të eksporteve të përgjithshme të vendit.
Ndërkohë, Maqedonia tashmë ka Strategjinë për Burimet Minerale, e cila synon t’i japë sektorit një drejtim të qartë dhe afatgjatë të zhvillimit. Paralelisht, janë duke u finalizuar edhe zgjidhje të reja ligjore për minierat dhe kërkimet gjeologjike, me qëllim rritjen e transparencës, forcimin e mbikëqyrjes, krijimin e një kuadri më të parashikueshëm ligjor dhe vendosjen e standardeve më të larta për mbrojtjen e mjedisit.
Në ceremoni u theksua gjithashtu rëndësia e përfitimeve konkrete që sektori minerar duhet t’u sjellë komunave dhe qytetarëve në zonat ku zhvillohet veprimtaria minerare.






