Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se institucionet janë të përgatitura për fillimin e vitit të ri shkollor, duke theksuar se janë siguruar tekstet shkollore dhe po punohet në përmirësimin e infrastrukturës shkollore.
“Jemi gati për vitin shkollor, ka tekste shkollore, është e dukshme se infrastruktura po përmirësohet, se po sigurojmë mjete teknike dhe gjithçka që është e nevojshme. Kemi shportë me materiale shkollore më të lira. U uroj të gjithëve shumë, shumë suksese”, tha Janevska.
Ajo uroi nxënësit dhe mësuesit për një vit të suksesshëm, duke i inkurajuar fëmijët që të mësojnë sa më shumë, por edhe të krijojnë miqësi të reja.
Duke folur për mbylljen e disa shkollave, veçanërisht në zonat rurale ku numri i nxënësve është i pamjaftueshëm, ministrja theksoi nevojën për përmirësimin e gjendjes demografike në vend.
“Nëse vazhdojmë kështu, do t’i mbyllim vazhdimisht shkollat. Prandaj, ndoshta një mesazh për nxënësit e klasës së parë: përveç kërkimit për të fituar njohuri, ndoshta duhet të kërkojnë të fitojnë një vëlla ose motër, në mënyrë që këto shkolla të mbyllura përkohësisht të mund të rihapen në të ardhmen”, u shpreh Janevska.
Sipas saj, qytetarët duhet të jenë më të vetëdijshëm për rëndësinë e kapitalit njerëzor, si për mirëqenien e tyre dhe të ardhmen e familjeve, ashtu edhe për zhvillimin e vendit.
“Në fund të fundit, të gjithë e dimë se çfarë do të thotë të jetosh në një vend progresiv dhe të zhvilluar mirë”, tha ministrja Janevska.






