Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot në Berovë se gjatë dy viteve të fundit, nga tremujori i tretë i vitit 2024 deri në tremujorin e dytë të vitit 2026, në vend janë krijuar 17.000 vende të reja pune.
Sipas tij, numri i të punësuarve është rritur nga 691.000 në 708.000. Mickoski theksoi se, bazuar në këto të dhëna, qeveria e mëparshme nuk kishte arritur të krijonte një numër të tillë vendesh të reja pune gjatë shtatë viteve.
Ai tha se pret që numri i vendeve të punës të rritet edhe më tej me hapjen e qendrave të të dhënave (data center) dhe zhvillimin e industrive shoqëruese.
Mickoski shprehu pritshmërinë se zhvillimi i kësaj industrie do të krijojë mundësi që një pjesë e të rinjve që janë larguar nga Maqedonia e Veriut të rikthehen në vend dhe të vazhdojnë jetën këtu së bashku me familjet e tyre.
“Para dy ose tre ditësh, Enti Shtetëror i Statistikës publikoi shifrën se kjo qeveri, gjatë dy viteve të fundit, nga tremujori i tretë i vitit 2024 deri në tremujorin e dytë të vitit 2026, ka krijuar 17.000 vende të reja pune. Nga 691.000 të punësuar në 708.000 të punësuar”, tha Mickoski.
Kryeministri shtoi se situata në Evropën Perëndimore nuk është më e njëjtë me atë të pesë apo dhjetë viteve më parë, duke vlerësuar se Maqedonia e Veriut duhet ta shfrytëzojë këtë moment për zhvillimin e ekonomisë.
Mickoski theksoi se qeveria ka ambicie të qarta dhe se, sipas tij, e di drejtimin në të cilin duhet të zhvillohet vendi.
Në fund, ai tha se numri më i madh i punësimeve të reja është regjistruar në sektorin e industrisë.






