Petrova: Në Shkup mungon vullneti politik për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë

Advertisement

Ministrja e Jashtme bullgare, Velislava Petrova, ka deklaruar se në Shkup nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të kompromisit evropian të vitit 2022. Sipas saj, konfrontimi dhe retorika antibullgare po e largojnë Maqedoninë e Veriut nga procesi i integrimit evropian.

Në një intervistë për gazetën bullgare “Standard”, Petrova ka kujtuar se në vitin 2022 ishte pjesë e ekipit që përfaqësonte pozicionin e Bullgarisë para Bashkimit Evropian. Ajo tha se Sofja arriti t’i bindte partnerët evropianë që ta pranonin këtë pozicion.

“Kom­promisi evropian i vitit 2022 ishte një sukses i madh, sepse u mbështet me një konsensus të qartë ndërinstitucional në Bullgari”, ka deklaruar Petrova, duke shtuar se arritja e këtij konsensusi ishte e vështirë dhe se pikërisht kjo i dha marrëveshjes peshë të veçantë.

Petrova thekson se Bullgaria nuk po vendos kushte të reja ndaj Maqedonisë së Veriut dhe se nuk kërkon asgjë përtej asaj që tashmë është përcaktuar në kornizën evropiane.

Sipas saj, besimi mes dy vendeve mund të ndërtohet vetëm përmes përmbushjes së obligimeve të marra dhe një qasjeje konstruktive për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Ajo ka kritikuar edhe retorikën aktuale në marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes, duke vlerësuar se konfrontimi nuk e ndihmon Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por vetëm shkakton humbje kohe.

Në intervistë, Petrova është ndalur edhe te rasti me Iva Mihajlovën, duke thënë se qëndrimi i autoriteteve maqedonase në këtë rast, sipas saj, nuk krijon shumë hapësirë për optimizëm se së shpejti mund të ketë përparim më të madh në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit