LSDM i ka bërë thirrje Qeverisë të publikojë më shumë informacione lidhur me kompanitë me të cilat po zhvillohen negociata për ndërtimin e qendrave të të dhënave në Maqedoninë e Veriut, si dhe për kushtet e mundshme për investitorët.
Reagimi vjen pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski se Qeveria është në bisedime me pesë deri në gjashtë investitorë potencialë për ndërtimin e qendrave të të dhënave.
Nga LSDM thonë se është e nevojshme që opinioni të informohet më në detaje për kompanitë e interesuara, projektet e planifikuara dhe obligimet që mund të ketë shteti në realizimin e tyre.
Partia kërkon gjithashtu që të bëhen të ditura vlerësimet për konsumin e energjisë elektrike dhe ujit nga qendrat e ardhshme të të dhënave, si dhe ndikimin e mundshëm të projekteve në infrastrukturën energjetike, furnizimin me ujë dhe sektorë të tjerë.
Sipas LSDM-së, para realizimit të projekteve të tilla duhet të ketë të dhëna të qarta për nevojat infrastrukturore, kostot dhe mënyrën e financimit të tyre.
Partia kërkon që të publikohen edhe përfitimet e pritshme ekonomike, përfshirë numrin e vendeve të reja të punës, të ardhurat për shtetin dhe komunitetet lokale, si dhe eventualisht subvencionet ose lehtësimet që mund t’u ofrohen investitorëve.
Nga LSDM theksojnë se mbështesin investimet në teknologji dhe qendra të të dhënave kur ato kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës, por kërkojnë më shumë transparencë për kushtet dhe ndikimin e projekteve.
“Fillimisht marrëveshjet dhe analizat mbi tavolinë, pastaj tregimet për investime”, porosisin nga LSDM, duke kërkuar që opinioni të informohet për ecurinë e negociatave me investitorët potencialë.






