“6 emra në tavolinë”, “negociata të vështira” – Kurti dhe Abdixhiku dakordohen për takim të radhës

Advertisement

Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku kanë zhvilluar mbrëmë një takim në Kuvend, ku kanë diskutuar për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Të dy liderët e kanë cilësuar takimin si një hap përpara, ndërsa bisedimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Sipas Gazetës Express, në takim janë shqyrtuar gjashtë emra të mundshëm për postin e Presidentit, nga tre të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe tre nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kurti e përshkroi takimin si të hapur dhe serioz, duke thënë se negociatat kanë qenë të vështira, por se është rritur mirëbesimi ndërmjet palëve. Ai theksoi se për herë të parë janë diskutuar konkretisht emra për kreun e shtetit.

Kreu i LVV-së tha se bisedimet do të vazhdojnë dhe se palët synojnë të gjejnë një kandidat që i përmbush kriteret, parimet dhe standardet e dakorduara.

Edhe Abdixhiku e vlerësoi takimin si një hap përpara, duke thënë se emrat e propozuar janë në përputhje me parimet për të cilat palët janë pajtuar.

Kreu i LDK-së nuk bëri të ditur emrat konkretë, duke kërkuar që procesi të ruhet konfidencial. Ai tha se palët do të takohen sërish për të finalizuar dhe përzgjedhur Presidentin e ardhshëm.

Abdixhiku theksoi se procesi nuk është i lehtë, por se LDK-ja do të vazhdojë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje institucionale, pasi sipas tij alternativa tjetër do të ishte vazhdimi i krizave politike dhe mundësia e zgjedhjeve të reja.

Ky ishte takimi i dytë mes Kurtit dhe Abdixhikut që nga 13 gushti, kur LDK-ja hoqi dorë nga bisedimet për përfshirje në bashkëqeverisje me LVV-në dhe nga kërkesa për pozitën e Presidentit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit