Faton Azizi mes kandidatëve për kreun e Prokurorisë së Krimit të Organizuar

Advertisement

Prokurori Faton Azizi nga Shkupi është njëri nga kandidatët për drejtues të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK), ku aktualisht në krye është Islam Abazi, të cilit mandati i përfundon pas dy muajsh, raporton gazeta KOHA.

Azizi është pjesë e PNKOK-së, ndërsa gjatë karrierës së tij ka udhëhequr disa raste komplekse që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Për këtë pozitë, sipas informacioneve, kanë kandiduar edhe prokurorët Iskra Haxhi-Vasileva, Spasenka Andonova, Vlladimir Milloshevski, Aleksandar Markovski dhe Jovan Cvetanovski.

Faton Azizi ka përvojë të gjatë në fushën juridike dhe të ndjekjes penale. Ai ka përfunduar Fakultetin Juridik në vitin 2006, ndërsa pesë vjet më vonë ka dhënë provimin e jurisprudencës. Në vitin 2014 ka përfunduar studimet master, me temë që lidhet me bashkëpunimin e Maqedonisë me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Nga marsi 2017 deri në shtator 2019, Azizi ka ndjekur Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, pas së cilës ka vazhduar karrierën si prokuror.

Në nëntor 2019 është zgjedhur prokuror publik në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, ndërsa në mars 2024 është deleguar në PNKOK, ku vazhdon të angazhohet në çështje komplekse të krimit të organizuar, krimit financiar dhe korrupsionit.

Në kuadër të kësaj prokurorie, Azizi është pjesë e departamentit për ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë dhe shërben edhe si pikë lidhëse mes PNKOK-së dhe Eurojust-it.

Mes rasteve në të cilat ka vepruar janë lënda “Aditivi”, me 38 persona të akuzuar, procedura kundër kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, si dhe lëndët “Botox” dhe “FFM”, në të cilat janë përfshirë dhjetëra persona të dyshuar.

Në përvojën e tij profesionale përfshihen edhe raste që janë kthyer në rigjykim, ndër to lënda që lidhet me ish-sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski, dhe rasti “Lidhja Ndërkombëtare”.

Zgjedhja e drejtuesit të ri të PNKOK-së është paraparë të bëhet më 28 tetor, kur prokurorët do të votojnë për pasardhësin e Islam Abazit.

Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Bashkim Besimi, ka njoftuar se shpallja për zgjedhjen e drejtuesit është nënshkruar më 18 gusht dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare.

Sipas ligjit aktual, drejtuesi i PNKOK-së zgjidhet për mandat katërvjeçar, me mundësi rizgjedhjeje. Ndryshimet e propozuara ligjore, të cilat ende janë në procedurë parlamentare, parashikojnë mandat gjashtëvjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje dhe kushte të reja për vlefshmërinë e procesit zgjedhor.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit