Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me projektet për ndërtimin e data-qendrave dhe negociatat me investitorë potencialë.
Nga LSDM thonë se deklaratat e Mickoskit për transparencën duhet të shoqërohen me informacione konkrete për projektet, investitorët dhe kushtet e mundshme të investimeve.
Sipas LSDM-së, kryeministri ka bërë të ditur se Qeveria po negocion me pesë deri në gjashtë investitorë potencialë, ndërsa njëra prej tyre, sipas tij, është kompani e madhe multinacionale. Nga opozita kërkojnë që të bëhen të ditura emri i kompanisë, kushtet e negociatave dhe detajet kryesore të projekteve.
LSDM kërkon gjithashtu informacione për sasinë e energjisë elektrike dhe ujit që do të përdorej nga data-qendrat, lokacionet ku do të ndërtoheshin dhe standardet mjedisore që do të zbatoheshin.
Nga partia theksojnë se qytetarët duhet të kenë qasje në informacione për ndikimin e mundshëm të këtyre projekteve në burimet energjetike dhe ujore, si dhe për mënyrën se si do të mbrohen interesat publike.
LSDM ka parashtruar disa pyetje ndaj Qeverisë, duke kërkuar sqarime për investitorin potencial multinacional, kushtet e investimit, kapacitetet e parapara për energji dhe ujë, lokacionet dhe garancitë për qytetarët.
Nga partia opozitare thonë se pa përgjigje konkrete për këto çështje, deklaratat për transparencë mbeten të pamjaftueshme dhe kërkojnë publikimin e të gjitha të dhënave relevante për projektet.






