Administrata e presidentit Donald Trump ka pezulluar përkohësisht takimet për vizat e emigracionit në ambasadat dhe konsullatat amerikane në mbarë botën. Departamenti Amerikan i Shtetit ka nisur një trajnim të ri për zyrtarët konsullorë, me qëllim që shqyrtimi i aplikimeve të bëhet në mënyrë më të detajuar.
Për shkak të trajnimit, intervistat e planifikuara do të shtyhen dhe aplikantët do të njoftohen për një datë të re. Deri tani nuk është bërë e ditur se sa do të zgjasë pezullimi.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, trajnimi synon që zyrtarët të vlerësojnë më hollësisht nëse aplikantët mund të bëhen të varur nga përfitimet dhe shërbimet publike në SHBA.
Masa vjen në kuadër të politikave të ashpra të administratës Trump ndaj emigracionit, të cilat kanë përfshirë edhe kufizime të tjera për emigracionin e ligjshëm.
Ndërkohë, administrata është përballur me pengesa ligjore. Një gjykatë amerikane së fundmi rrëzoi një politikë që pezullonte lëshimin e vizave të emigracionit për shtetasit e 75 vendeve, duke vlerësuar se masa tejkalonte kompetencat ligjore të administratës.






