Takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku u diskutua për kriteret dhe profilin e presidentit të ardhshëm të Kosovës, ka rikthyer në vëmendje mundësinë e një kompromisi politik mes dy partive.
Profesori Nijazi Halili e vlerëson takimin si një zhvillim të rëndësishëm në kushtet e ngërçit institucional në Kosovë. Sipas tij, fakti që diskutimi ka kaluar nga parimet e përgjithshme te kriteret dhe profili i presidentit, si dhe mundësia për të shqyrtuar emra konkretë, tregon se dialogu mes dy palëve ka marrë një dimension më konkret.
Megjithatë, Halili thekson se ende nuk mund të flitet për një marrëveshje të arritur. Sipas tij, prova kryesore do të jetë kur palët të dakordohen për një kandidat konkret dhe të sigurojnë votat e nevojshme në Kuvend.
Ai vlerëson se ekziston mundësia për një kandidat konsensual, nëse LVV dhe LDK vendosin interesin institucional mbi atë partiak. Sipas tij, presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë me integritet, autoritet publik, orientim euroatlantik dhe aftësi për të përfaqësuar unitetin e qytetarëve.
Nëse dy partitë arrijnë marrëveshje për një kandidat dhe sigurojnë mbështetjen parlamentare, kjo mund të ndihmojë në tejkalimin e ngërçit institucional. Në të kundërtën, diskutimet mund të mbeten vetëm në nivelin e dialogut politik.






