Kryetari i Komunës së Qendrës, Goran Gerasimovski, zhvilloi sot takim koordinues me drejtorët e tetë shkollave fillore komunale, ku u diskutuan përgatitjet e fundit para fillimit të vitit të ri shkollor.
Në takim u konfirmua se shkollat janë të gatshme për të pritur nxënësit më 1 shtator, me vëmendje të veçantë për nxënësit e klasave të para.
Gerasimovski deklaroi se edhe këtë vit Komuna do të vazhdojë me masat mbështetëse për nxënësit dhe familjet e tyre. Nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën do të përfitojnë uniforma falas, ndërsa nxënësit e klasës së parë do të pajisen edhe me çanta falas.
Nga ky vit shkollor do të nisë edhe programi për ushqim falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën, si dhe ekskursione falas për nxënësit e klasave më të larta.
Në takim u diskutua gjithashtu për kushtet e mësimit, funksionimin e shkollave dhe çështjet që duhet të adresohen para fillimit të vitit të ri shkollor.






