Deputetët shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut bojkotuan shënimin e 35-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës, pas deklaratave të presidentit ukrainas Volodimir Zelenski gjatë vizitës së tij në Beograd, ku përsëriti qëndrimin se Kievi respekton të drejtën ndërkombëtare dhe integritetin territorial të Serbisë dhe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Asnjë nga rreth dhjetë deputetët shqiptarë dhe përfaqësuesit e komuniteteve më të vogla, anëtarë të Grupit Ndërpartiak Parlamentar për mbështetjen e Platformës së Krimesë, nuk mori pjesë në sesionin e mbajtur në Kuvend.
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Riad Shaqiri, konfirmoi se mungesa e tij ishte e qëllimshme, duke e cilësuar pjesëmarrjen si të papranueshme pas deklaratës së Zelenskit për Kosovën.
“Kur presidenti ukrainas Zelenski u shpreh se Kosova është pjesë e Serbisë, nuk mund të ketë mbështetjen tonë. Në shenjë proteste vendosa të mos vij në sesionin për pavarësinë e Ukrainës në Kuvend dhe as nuk do të marr pjesë në të ardhmen në ndonjë manifestim apo shënim lidhur me Ukrainën”, deklaroi Shaqiri.
Në mesin e të munguarve ishte edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili njëkohësisht drejton Grupin Ndërpartiak Parlamentar. Në vend të tij, fjalën hyrëse e mbajti nënkryetari i Kuvendit, Antonio Miloshoski.
Nga partia VLEN, përveç Gashit, nuk morën pjesë as deputetet Kaltrina Beqiri dhe Saranda Imeri Stafa. Nga BDI thanë se deputetët e tyre ishin me pushime dhe se mungesa nuk ishte e qëllimshme. Të pranishëm nuk ishin koordinatorja Rina Ajdari dhe deputetët Blerim Beçeti e Diana Toska.
Ndërkohë, deputeti i pavarur Ilir Demiri mohoi se e kishte bojkotuar aktivitetin, duke thënë se nuk ishte në dijeni se në Kuvend do të shënohej përvjetori i pavarësisë së Ukrainës dhe se nuk kishte marrë ftesë.
Mungesa e deputetëve shqiptarë u vu re edhe nga disa prej ambasadorëve të pranishëm. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse bëhej fjalë për një bojkot të koordinuar apo për mungesa individuale.
Në fjalimin e tij, Miloshoski theksoi mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për popullin ukrainas, duke deklaruar se solidariteti i vendit nuk është vetëm politik e diplomatik, por edhe njerëzor, material dhe moral.
Grupi Ndërpartiak Parlamentar për mbështetjen e Platformës së Krimesë u formua më 7 tetor 2024 me iniciativë të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi. Grupi përfshin 41 deputetë nga partitë parlamentare dhe synon të mbështesë iniciativat që lidhen me dimensionin parlamentar të Platformës së Krimesë dhe të rrisë ndërgjegjësimin për situatën në Krime dhe aneksimin e saj nga Rusia.






