Janevska: Duart e politikës larg arsimit, ligjet e reja synojnë rritjen e cilësisë universitare

Advertisement

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se arsimi nuk duhet të përdoret për përfitime politike dhe bëri thirrje që politika të qëndrojë larg sistemit arsimor.

Duke folur për tre ligjet në fushën e arsimit të lartë që ndodhen në procedurë parlamentare, Janevska tha se miratimi i tyre është i rëndësishëm për rritjen e cilësisë së arsimit universitar dhe për përmirësimin e pozitës së universiteteve të vendit në renditjet ndërkombëtare.

Sa i përket mungesës së universiteteve të Maqedonisë së Veriut në listën e fundit të Shangait, ministrja tha se nuk pret ndryshime të mëdha brenda një periudhe të shkurtër.

Ajo vlerësoi se tre ligjet e reja mund të ndikojnë në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe në përmirësimin e treguesve që merren parasysh nga listat ndërkombëtare të universiteteve.

Janevska paralajmëroi gjithashtu se ndërhyrja politike në arsim mund të shkaktojë pasoja negative për të gjithë sistemin.

“Kur politika hyn në arsim, besoj se dëmi është për të gjithë. Informacioni i papërshtatshëm që vendoset për hir të pikëve politike ose fitimit të pëlqimeve shkakton dëme në sistemin arsimor”, tha ajo.

Ministrja theksoi se diskutimi për ligjet duhet të zhvillohet në Kuvend, ku mund të shqyrtohen të gjitha argumentet dhe propozimet konkrete.

“Të rinjtë tanë meritojnë arsim cilësor, dhe duke miratuar këto ligje do të rrisim cilësinë e arsimit të lartë, gjë që lidhet drejtpërdrejt me renditjen ndërkombëtare të universiteteve”, përfundoi Janevska.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit