Rregulla më të rrepta për kazinotë dhe bastoret, Financat vendosin kontrolle të reja për licencat

Advertisement

Ministria e Financave ka miratuar një rregullore të re që përcakton kriteret për reputacionin, integritetin dhe burimin e mjeteve financiare për subjektet që kërkojnë licenca për organizimin e lojërave të fatit.

Rregullorja, e cila buron nga Ligji i ri për Lojërat e Fatit, detajon dokumentacionin që duhet të dorëzojnë personat juridikë dhe fizikë që aplikojnë për licenca për kazino, bastore, klube me automatikë ose tombolë të mbyllur.

Sipas Ministrisë së Financave, aplikantët do të duhet të dëshmojnë se plotësojnë kriteret e reputacionit dhe integritetit, duke paraqitur dokumente që tregojnë se ndaj tyre nuk janë shqiptuar masa ndaluese për ushtrimin e veprimtarisë apo për organizimin e lojërave të fatit.

Rregullorja parashikon gjithashtu kontroll më të rreptë të burimit të kapitalit themelues. Përmes raporteve bankare, kontratave dhe dokumenteve financiare, autoritetet do të verifikojnë origjinën dhe rrjedhën e mjeteve financiare deri në investimin e tyre në kompani.

Me aktin e ri rregullohen edhe procedurat për ndryshimin e strukturës së pronësisë, rritjen ose uljen e kapitalit themelues, si dhe emërimin e anëtarëve të organeve drejtuese dhe mbikëqyrëse.

Nga Ministria theksojnë se një nga risitë kryesore të Ligjit të ri është vlerësimi i reputacionit të partnerëve, bashkëpunëtorëve dhe drejtuesve të kompanive të lojërave të fatit, si pjesë e përpjekjeve për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Ligji i ri për Lojërat e Fatit u miratua në qershor të këtij viti, me synimin për të krijuar një kornizë ligjore më moderne, më të qartë dhe më efikase për rregullimin e sektorit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit