Uji nga sistemi i ujësjellësit në Kumanovë është i sigurt për pije, tregojnë analizat e deritanishme të kryera nga Qendra për Shëndet Publik, laboratori i Stacionit Filtrues dhe Instituti i Shëndetit Publik.
Këtë e ka bërë të ditur Toni Jonçevski, udhëheqës i Stacionit Filtrues në Kumanovë, sipas të cilit uji kontrollohet në 11 pika matëse dhe analizat kryhen në mënyrë periodike.
“Uji nga sistemi i ujësjellësit në Kumanovë është i sigurt për përdorim sipas rezultateve të deritanishme. Të gjitha analizat deri tani tregojnë se uji është i sigurt për pije”, deklaroi Jonçevski.
Ai shpjegoi gjithashtu se klori rezidual që gjendet në ujë shtohet pas procesit të pastrimit dhe shërben si mbrojtje shtesë nga ndotja dhe mikroorganizmat gjatë transportit në rrjetin e ujësjellësit.
Sa i përket furnizimit, Jonçevski tha se aktualisht nuk ka probleme të mëdha me ndërprerjet e ujit. Megjithatë, gjatë orëve të mbrëmjes dhe periudhave me konsum të lartë mund të ketë ulje të presionit në pjesët më të larta të qytetit.
Sipas tij, kjo lidhet kryesisht me konsumin e shtuar dhe jo racional të ujit në pjesët më të ulëta të qytetit.
Nga “Ekonomia e Ujërave” kanë apeluar te qytetarët që ta përdorin ujin në mënyrë racionale, veçanërisht gjatë periudhave të konsumit të lartë, me qëllim që të ruhet furnizimi i qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.






