Një fëmijë vetëm 1 vjeç e gjysmë është kafshuar nga një qen në oborrin e shtëpisë së familjes në Shuto Orizare të Shkupit, bëjnë të ditur prindërit për “Roma Pres”.
Sipas dëshmisë së familjes, qeni dyshohet se ka hyrë në oborr, ndërsa familjarët ndodheshin në tarracë. Nëna e fëmijës ka tentuar ta largojë qenin, por sipas familjes, ai është drejtuar drejt fëmijës.
Si pasojë e sulmit, fëmija ka marrë disa kafshime dhe lëndime në pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë fytyrën dhe veshin.
Fëmija është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa sipas dokumentacionit të siguruar nga familja, rasti është evidentuar si kafshim ose goditje nga qen. Fëmijës i është administruar Verorab 0.5 ml dhe është rekomanduar vazhdimi i trajtimit, përfshirë edhe marrjen e serumit antirabik sipas vlerësimit mjekësor.
Rasti është raportuar edhe në polici, ndërsa familja ka angazhuar avokatin Emran Ismail si përfaqësues ligjor.
Pas incidentit, familja dhe banorë të Shuto Orizares kanë kërkuar reagim nga institucionet kompetente dhe marrjen e masave për problemin me qentë endacakë në këtë zonë.
Sipas familjes, qëllimi është parandalimi i rasteve të ngjashme dhe rritja e sigurisë së banorëve, veçanërisht të fëmijëve.






